Zanafilla e qytetit është e panjohur. Historia e vjetër e Dibrës, ashtu si edhe ajo e shumë zonave të tjera, ka qenë dhe vazhdon të mbetet e mbështjellë nën mjergullën e fshehtësisë.
Nga një afishë perandorake e vitit 1019 e Vasilit II merret vesh se Dibra në shekullin XI i përkiste arqipeshkopatës së Peshkopisë ( nga kjo edhe Peshkopia ka marrë emrin). E gjjitha po atë vit nga sundimi bizantin bie në duart e Bohemondit, prijësit të normanëve.
Më 1257 Dibra për herë të parë përmendet si qytet. Gjatë mesjetës e në shekujt e mëvonshëm emri Dibër ( për Dibrën e madhe) përdoret jo vetëm për qytetin por për gjithë krahinën. Për këtë dëshmon akti i aleancës, i nënshkruar nga Karl Valuai dhe mbreti i serbëve, Miljutini (27 mars 1305). Feliks Petani, më 1502, e quan «Dibri dhe e përmend si qytet me popullsi të madhe. Baroni Bozhur e ndan qytetin në dy pjesë dhe, ndër të tjera, thotë se banorët e Dibrës janë njerëz trima e luftëtarë. Edhe i mirënjohuri Pukëvil na jep këtë dallim: Dibër e Poshtme dhe Dibër e Sipërme. Doktor Myleri e paraqet me 500 shtëpi, ndërsa konsulli Hans me 2000. Në periudhën e artë të Skënderbeut, sipas gojëdhënave, qyteti i Dibrës mbante emrin Uranik, krahina përreth quhej Principata e Dibrës dhe kishte për kryezot princin Moisi Golem Komnen Topia.
Sfetigradi, Torviolli, Uraniku, Livadia, Valkali, Mokra e Otoneta janë kujtime të pashlyeshme të bëmave heroike të Skënderbeut. Nëse çdo shqiptar, në kohën e mbretit të pathyeshëm, ishte një ushtar i gatshëm të flijohej për madhështinë e atdheut, çdo dibran ishte një luftëtar i lavdishëm. Dibra ishte altari i pavarësisë shqiptare dhe bëmat e dibranëve janë rrëfyer brez pas brezi e dëshmojnë për heroizmin e këtyre luftëtarëve trima. Dhe nëse me vekjen e Skënderbeut perëndoi ylli i pavarësisë dhe Shqipëria u pushtua, vetëdija e popullit nuk u trazua fare; ajo mbeti e paprekur dhe kohë pas kohësh ndizej flakë kundër armikut. Dhe për këtë një meritë e veçantë i takon Dibrës, e cila, me një vendosmëri të paepur mbajti gjallë shpresën, duke ushqyer zemrat me atë dashuri për atdheun, që nuk u shua kurrë në shpirtin e popullit.
Revoltat dhe kryengritjet që shpërthyen në Dibër gjatë shekujve kundër zgjedhës së huaj, janë shenja më e vetëvetishme e dashurisë për atdheun dhe e urrejtjes për armikun.
Pas luftërave dibranët vazhduan kryengritjet për të fituar lirinë, ose së paku për të siguruar ndonjë privilegj e të drejtë për vendin e tyre. Përpjekjet e pashallarëve të mëdhenj turq, si Vezir Hysni pasha, Abdi pasha, Sulejman pasha Kozaku, përkatësisht në vitet 1855, 1860, 1897 dhe Hysni beu më 1906, dështuan përballë heroizmit të Dibranëve, bëmat epike të të cilëve përmenden e ngrihen lart në këngët popullore dhe që populli i kujton edhe sot e kësaj dite, sepse në to jeton një epope e tërë e plot lavdi.
Dibra mori pjesë gjallërisht edhe në Lidhjen e Prizerenit me anë të përfaqësuesit të saj Iljaz pashë Çokut, të njohur me emnin Iljaz pashë Dibra, i cili qe krahu i djathtë i Abdyl Frashërit.
Në Dibër u mbajt nji Kuvend i rlndësishëm (1878 ferra e Pashës Fushë-Çidhën ose Fushë-Alie siç thirrin shpesh banorët e zonës përreth), ku morën pjesë pesë mijë delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Kuvendi i Ferrës së Pashës i Dibrës kishte për qëllim pavarësinë e Shqipërisë. Dhe në të vërtetë, u mor vendim t'u transmetoheshin qarqeve përkatëse me dëshirat e pjesëmarrësve të Kuvendit, ose me fjalë të tjera, të sigurohej administrimi i vendit nga nëpunës shqiptarë, të njihej si gjuhë zyrtare gjuha shqipe, të shpallej si kryeqytet i Shqipërisë qyteti i Ohrit. Xhemal beu, biri i Iljaz pashë Dibrës, u caktua të shkonte në Stamboll, për t'i paraqitur sulltanit
kërkesat e popullsisë shqiptare, por, kur arriti në Manastir, u mbajt i arrestuar nga autoritetet turke.
Më 1900, me nismë të Hoxhë Vokrrit, këtij biri të lavdishëm të Dibrës, të shquar për ndjenjat e larta të atdhedashurisë dhe për shërbimet e tij të mëdha, u hap fshehurazi në Dibër shkolla e parë shqipe. Por ajo u zbulua dhe u mbyll shpejt nga turqit.
Më 1901 u vra sekretari e këshilltari i sulltanit Abdyl Hamiti, majori Nuri beu, sepse qe ngarkuar me përndjekjen e patriotëve shqiptarë. Në dhjetor të 1908 në Dibër u hap klubi «Bashkimi».
Më 1909 në Dibër u mbajt një Kuvend tjetër.
Më 1910 pesë mijë dibranë e kosovarë zhvillojnë nji betejë të përgjakshme kundër pushtuesve turq. Më 1912 dibranët luftojnë në Shkodër e në viset përreth Manastirit, duke arritur të ndalin përparimin e ushtrive sllave që orvateshin të depërtonin në Shqipni.
Por dhe në 1912-ën në Kuvendin historik të Vlorës, që ngriti më 28 Nëntor, për herë të parë pas shekujsh, flamurin e Shqipërisë së lirë, Dibra merr pjesë nëpërmjet delegatëve të vet, Nokollë Kaçorri, Myfti Vehbi Agolli etj. Edhe Ohri e Struga kishin përfaqësuesit e vet, Hamdi bej Çokun, Mustafa Barutin etj.
Nga Lufta Ballkanike e deri në ditët tona Dibra kalon një periudhë të hidhur të historisë së saj. Pas padrejtësisë së Kongresit të Berlinit të 1873-ishit, erdhi vendimi i Konferencës së Londrës së 1913-ës, i cili la jashtë territoreve të atdheut dhjetëra qytete, ndër të cilët, Dibrën e madhe etj. Më 17 janar 1913 shpërtheu kryengritja e Dibrës së Madhe kundër Serbëve; në vijim të kryengritjes u zhvillua një betejë veçanërisht e përgjakshme, e cila mbaroi vetëm me tradhtinë e serbëve që kërkuan armëpushim, duke u zotuar e premtuar se do t'i njihnin Dibrës pavarësinë.
Por ato qenë vetëm fjalë boshe. Në të vërtetë, pati përsëri masakra të vazhdueshme, të cilat i detyruan krerët shqiptarë të mblidheshin si gjithnjë e të përgatiteshin për një kryengritje të përgjithshme. Më 14 shtator 1913 plasi një kryengritje tjetër në gjithë Dibrën. Të gjitha zonat dibrane, të lidhura mes tyre, arritën (për fat të keq kjo zgjati vetëm tri javë) të fitonin pavarësinë, e cila u arrit me gjak e sakrifica të mëdha. Pas kësaj, për shkak të epërsisë numerike të armikut, i cili hodhi në fushën e betejës edhe 60 mijë trupa të tjera, Dibra u shtrëngua të jepej. Serbët u hakmorën duke shkatërruar e duke djegur shtëpi, zona e fshatra të tëra, duke masakruar njerëz, gra e fëmijë e duke iu grabitur pasurinë.
Edhe sot e kësaj dite vihen re gjurmët e pashlyeshme të barbarizmave Serbë.
Aty nga fundi i vitit 1915 ushtria serbe pësoi një disfatë të madhe ushtarake nga ushtria austro-hungareze, përpara sulmeve të së cilës ajo qe e shtrënguar të tërhiqej nga territoret e huaja. Njëra prej rrugëdaljeve ishte edhe zona e Dibrës, por këtu banorët, që nuk i kishin harruar aktet ç'njerëzore e barbare të Serbëve, i kthyen armët kundër armikut shekullor. Në betejat e shumta të zhvilluara në Trojak serbët lanë mbi dy mijë ushtarë e oficerë në fushë të betejës dhe shumë material luftarak.
Përpjekja e fundit për liri e pavarësi nga ana e dibranëve ishte ajo e 18 gushtit 1920, zhvilluar në Lanë-Lurë pikërisht në qafë të gëlqeres ku Serbët u thyen dhe ikën me turp edhe pse kishin paguar për dalje në Adriatik një shumë prej njëqind mijë librash turke nga arka e Beogradit të vjedhura po në Dibër në betejat e mëparshme për të cilat më shumë material në postimet e mëvon'shme.
Ja, kjo është shkurtimisht historia e Dibrës dhe e krahinës dibrane, që nga zanafilla e deri më 1920, histori e një populli të lavdishëm atdhetar, që i ka falur atdheut bijtë e tij më të mirë e ka derdhur për të gjakun duke u hedhur në luftëra të ashpra me armikun.
Për ngjarjet e mëvonshme të Dibrës do të bëhet fjalë në shkrime të tjera, duke ilustruar në të njëjtën kohë gjithë dibranët e shquar që i kanë kushtuar përgjithmonë mendje e zemër atdheut.
Përgatiti : Dritan Brunga.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου